Nga sot e tutje, mërgimtarët mund të aplikojnë online për rifitimin e shtetësisë së Kosovës përmes platformës e-Kosova, përcjell KosovaPost.
Kështu bën të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla me anë të një postimi në Facebook.
Ministri ka falënderuar gjithë stafin e ministrisë për përkushtimin e treguar për digjitalizimin e këtij shërbimi jashtëzakonisht të rëndësishëm për mërgatën tonë.
“Pasi kam nënshkruar vendimin mbi ofrimin e mundësisë së rifitimit të shtetësisë online përmes platformës e-Kosova, sot vizitova Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit ku u bë testimi final i suksesshëm i procedurës së aplikimit. Bashkë me u.d Drejtorin e AShI-së z. Artan Dreshaj dhe Zëvëndësministrin Bardhyl Dobra përcollëm testimin final dhe nga tani, kjo mundësi është aktivizuar dhe procedura e aplikimit do të zgjasë pak minuta”, shkruan Sveçla.