Prokuroria Themelore në Pejë ka mbajtur sot një konferencë për media në të cilën është deklaruar për helmimin e mbi 1 mijë qytetarëve të Deçanti nga uji i pijes.
Me këtë rast, prokurori Dorjan Juniku, ka deklaruar se është ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të kompanisë rajonale “Hidrodrini”, lidhur me helmimin e qytetarëve në Deçan, që ndodhi verën e vitit të kaluar.
“Ju njoftoj se pas një hetimi intensiv disa mujor në çështjen penale që ka të bëjë me helmimet e mbi 1,500 qytetarëve të Deçanit dhe fshatrave përreth, sot më datën 7 shkurt 2022, kam ngritur aktakuzën kundër dy zyrtarëve si persona përgjegjës të kompanisë rajonale “Hidrodrini”, kundër drejtorit të departamentit teknik për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe kundër kimistes së kësaj kompanie për veprën penale “mos evitim të rrezikut””, ka thënë Prokurori.
Aktakuzat janë ngritur ndaj dy zyrtarëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrini”, saktësisht kimistes dhe drejtorit të Departamentit Teknik për mungesë të klorit dhe të testimeve të ujit.
Ndërkaq lidhur me personat e dyshuar të nacionalitet serb, është thënë se kanë përfunduar hetimet dhe ka rezultuar se nuk kanë pasur lidhje me rastin.
Kujtojmë që në korrik të vitit kaluar 1500 qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ku në mesin e tyre 51 kanë qenë fëmijë për shkak të problemeve shëndetësore që u lidhën me ujin.