Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore duke i caktuar kështu 30 ditë paraburgim të pandehurit A.Th.
Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri prej muajit qershor 2019 deri më 18 shtator 2020, në mënyrë të vazhdueshme në lokalin ‘Royall’ në zonën kufitare në mes Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht në fshatin Karaçeva, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete apo për personin tjetër dhe në kundërshtim me Ligjin për ndalimin e lojërave të fatit, ka bërë organizimin e lojërave të cilat janë të ndaluara me ligj.
“Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin për media.
Gjithashtu u theksua se gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, me qëllim të sigurimit të kushteve sa më normale për zhvillimin e procedurës penale.