Një person ka mbetur i plagosur pas të shtënave që ndodhën pak para orës 18:00 sot në lagjen Ulpiana në Prishtinë. Viktima është dërguar për tretman mjekësor.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
“Rreth orës 18:00 është raportuar për një gjuajtje me armë zjarri në lagjen Ulpiana në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet lidhur me rrethanat që karakterizojnë rastin”, ka bërë të ditur për ‘RADIO 1’ zyrtarja për Informim e Policisë së Kosovës në Prishtinë, Flora Ahmeti.
Ahmeti ka thënë se bazuar në të dhënat fillestare, një person është plagosur nga arma e zjarrit.
“I njëjti është dërguar ne QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Personi i dyshuar është arrestuar nga ana e policisë dhe të njëjtit i është konfiskuar një armë që dyshohet të jetë përdorë në rast”, theksoi Ahmeti.