Kina sot sërish ka bërë thirrje për bisedime për zgjidhjen e krizës në Ukrainë, duke refuzuar të dënojë operacionin ushtarak rus në Ukrainë, transmeton Kosova Post.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Hua Chunying u tha gazetarëve se çështja e Ukrainës është “e ndërlikuar në sfondin e saj historik ndërsa ajo që ne shohim sot është një ndërthurje e faktorëve kompleksë”.
Ndonëse Kina nuk e mbështeti vendimin e presidentit rus, Vladimir Putin për të njohur pavarësinë e rajoneve separatiste të Donetskut dhe Luhanskut në lindje të Ukrainës ose vendimin e tij për të dërguar forcat ruse atje, Chunying tha se Kina u ka bërë thirrje “palëve të respektojnë shqetësimet legjitime të sigurisë”.
“Të gjitha palët duhet të punojnë për paqen në vend që të përshkallëzojnë tensionet ose të nxisin mundësinë e luftës”, tha ajo duke i bërë jehonë gjuhës që Kina përdor vazhdimisht në retorikën e kritikës së perëndimit ndaj krizës.
Kina dhe Rusia kryesisht kanë koordinuar politikat e tyre të jashtme në kundërshtim me SHBA-në dhe aleatët e saj. Chunying nuk e përshkruan veprimin rus si një pushtim dhe as nuk flet drejtpërdrejt për lëvizjen e forcave ruse drejt Ukrainës.
Ndërkohë, agjencia doganore kineze miratoi importin e grurit nga Rusia. Vendi është një nga prodhuesit më të mëdhenj të grurit, por eksportet e tij do të rrezikoheshin nëse tregjet e huaja bllokojne dërgesat si përgjigje të një operacioni ushtarak në Ukrainë.aa.