Drejtoria e Komunikimeve në Gaza tha se që nga 7 tetori, numri i eksplozivëve që Izraeli ka hedhur në Gazza, është e barabartë me bombën atomike të hedhur nga SHBA-ja në Hiroshima të Japonisë, transmeton Kosova Post.
Në deklaratën e bërë nga Drejtoria e Komunikimeve, thuhej se Izraeli përdori më shumë se 12 mijë e 700 tonë eksploziv dhe se kjo ishte e barabartë me bombën atomike të hedhur nga SHBA në Hiroshima të Japonisë, më 6 gusht 1945.
Bomba atomike e quajtur “djali i vogël” e hedhur nga SHBA në Hiroshima shkatërroi 70 për qind të qytetit.
“Një mesatare prej 33 ton eksploziv u hodhën për kilometër katror në enklavën palestineze që kur Izraeli filloi agresionin e tij”, theksohet në njoftim.
Rripi i Gazës, shtëpi e 2.3 milionë banorëve, ka një sipërfaqe totale prej 365 kilometër katror.
Izraeli ka nisur një fushatë të pamëshirshme bombardimi në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga grupi i rezistencës palestineze Hamas, duke vendosur 2.3 milionë banorët e territorit nën një rrethim të plotë dhe nën një bllokadë të ushqimit, karburantit dhe furnizimeve mjekësore.
Mbi 7.100 njerëz janë vrarë në konfliktin e fundit që nga 7 tetori, përfshirë të paktën 5.791 palestinezë dhe 1.400 izraelitë.


























