Që nga qershori i vitit të kaluar, pasi forcat e Haftarit pësuan humbje në zonat perëndimore të Libisë, qeveria libiane ka zbuluar rreth 300 trupa në varre masive në Tarhuna dhe në jug të Tripolit, transmeton Kosova Post.
Autoritetet libiane dje zbuluan një varr të ri masiv në qytetin Tarhuna, me mizorinë që me gjasë janë kryer nga milicitë e komandantit Khalifa Haftar, shkruan AA.
Autoriteti i Përgjithshëm për Kërkimin dhe Identifikimin e Personave të Zhdukur tha në një deklaratë se varri masiv u zbulua në një zonë bujqësore të Tarhuna, qytet i cili ndodhet 90 kilometra në juglindje të kryeqytetit Tripoli.
Në deklaratë thuhet se eshtrat e nëntë trupave u zhvarrosën nga varri dhe se deri më tani nuk ka informacion për identitetet e viktimave.
Tarhuna më parë ishte një bastion për milicinë al-Kani të lidhur me Haftarin.
Sipas burimeve zyrtare libiane, forcat e Haftarit dhe milicitë e lidhura me to kryen krime lufte dhe akte gjenocidi në periudhën midis prillit 2019 dhe qershorit 2020.
Që nga qershori i vitit të kaluar, pasi forcat e Haftarit pësuan humbje në zonat perëndimore të Libisë, qeveria libiane ka zbuluar rreth 300 trupa në varre masive në Tarhuna dhe në jug të Tripolit.
Libia është shkatërruar nga lufta civile që nga rrëzimi i sundimtarit të ndjerë Muammar Gaddafi në vitin 2011.
Më 5 shkurt, grupet politike rivale të Libisë ranë dakord gjatë bisedimeve të ndërmjetësuara nga OKB për të formuar një qeveri të përkohshme të unitetit të udhëhequr nga Abdul Hamid Dbeibeh, me qëllim të mbajtjes së zgjedhjeve këtë dhjetor.