Kriza energjetike ka filluar të paraqitet që në verë të këtij viti, anipse Kosova nuk është përballur deri në muajin dhjetor, që kur ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli kishte bërë thirrje që të kursehet energjia elektrike, shkruan KosovaPost.
Sot, pas reduktimeve me energjinë elektrike, reduktime me të cilat po përballet çdo shtëpi në nivel qendëror, dikush nuk po i pranon ato, veçanarisht bizneset e vogla.
Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi gjatë shpalosjes së raportit vjetor, tha se 2021-ën po e përmbyllin si një vit të vështirë pandemik gjatë të cilit operimi i sektorit privat ishte shumë i rënduar.
Krasniqi me këtë rast ka përmendur edhe krizën e energjetike e cila ka vështirësuar edhe më tepër funksionimin e rregullt të bizneseve, duke marrë parasysh se reduktimet më së shumti po dëmtojnë bizneset dhe punëtorët.
“Për t’iu dalë në ndihmë bizneseve, është e nevojshme që Qeveria sa më parë ta hartojë një plan për mbrojtjen e bizneseve, që të ketë sa më pak reduktime të rrymës në zonat ku ka biznese, ndërsa në rast të ngritjes së çmimeve, OAK kërkon që të bëhet subvencionimi i diferencës së çmimit”.
Ai tha se shqetësuese është mos funksionimi i Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime si këshill më i lartë në nivel të vendit, në të cilin do të duhej të trajtoheshin të gjitha shqetësimet e bizneseve.
Kreu i OAK-ut përmendi një sërë kërkesash që kanë bërë në BQK për lehtësimin e punës së bizneseve. Një ndër to të largohet kamata prej 5-8 për qind për kthimin e parave metalike në kartëmonedha, detyrim i vendosur nga Banka Qendrore e Kosovës.