Ekipi olimpik i Kosovës do të prezantohet në Lojërat Olimpike Paris 2024 (25 korrik – 11 gusht) me nëntë sportistë – pesë xhudistë, një boksiere, një atlete dhe me dy notues.
Kosova po shpreson që të arrijë një “hat-trick” medaljesh të arta olimpike në paraqitjen e tretë me radhë që nga paraqitja e parë në Rio 2016, kur Majlinda Kelmendi bëri historinë, raporton Klankosova.tv.
Suksesin e saj e pasuan pesë vjet më vonë në Tokio Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, duke u stolisur të dyja me nga një të artë.
Për dallim nga rregullat e FIFA-s dhe UEFA-s që nuk lejojnë përballje Kosovë-Serbi në futboll (normalisht, deri në fazat eliminatore), Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON) nuk e ka këtë politikë.
Madje gjatë Rios, kreu i KON-it ka kërcënuar Serbinë me pezullim dhe përjashtim nga anëtarësia e saj nëse do të refuzonin të luanin kundër sportistëve të Kosovës.
Kështu së paku ka deklaruar kreu i Komitetit Olimpik të Serbisë, Bozhidar Malkoviq, i cili tha se sportistët e ekipit olimpik serb nuk do të ikin nga podiumi po që se iu bie të dalin bashkë me sportistë të Kosovës.
Por, sa janë mundësitë që një gjë e tillë të ndodhë?
Të vogla, por ekzistojnë!
Sigurisht që nuk do të ketë ndeshje ekipore, sepse Kosova nuk ka përfaqësues në sportet ekipore, por mund të ketë një garë në pishinë, një luftë në tatami dhe një ndeshje në ring.
Kosova përfaqësohet në Paris me gjithsej nëntë sportistë, një atlete, një boksiere, dy notarë dhe pesë xhudistë. Xhudo, meqë ra fjala, është i vetmi sport në të cilin ekipi i Kosovës fitoi medalje në dy garat e mëparshme – të tria të arta, shkruan N1.
Në Rio 2016, Majlinda Kalmendi u bë kampione olimpike, dhe bëma e saj u përsërit pesë vjet më vonë në Tokio nga Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova.
Dy të fundit do të mbrojnë medaljen e artë olimpike në Paris këtë verë, por vetëm Gjakova është rival i mundshëm i xhudisteve serbe, konkretisht Marica Perishiq.
Nora dhe Marica nuk mund të takohen para gjysmëfinales (përveç një revansh të mundshëm), dhe nëse kjo do të ndodhte, do të shikonim një revansh nga Grand Slami i shkurtit në Baku, kur kampionia olimpike e Kosovës mposhti serben në çerekfinalet.
Në turneun e boksit, në kategorinë deri në 60 kilogramë, mund të zhvillohet edhe një duel ndërmjet përfaqësueseve të Kosovës dhe Serbisë, nëse shorti bën bashkë Donjeta Sadikun dhe Natalija Sadrinan.
Nuk është një skenar i pamundur që Donjeta dhe Natalija të mos takohen në ring, përpos në podium.
Adell Shaboviq vështirë se do të takojë në podium Andrej Barnën dhe Velimir Stjepanoviqin, por nuk është e pamundur që ai të jetë në të njëjtin grup kualifikues me tandemin e notarëve serbë.
Të tre janë regjistruar në 100 metra stil i lirë. Këtë vit, Barna e notoi atë seksion me 47.66, ndërsa rezultati më i mirë i Shaboviqit për këtë sezon është 51.46.
Këto janë tri disiplinat e vetme në të cilat olimpistët nga Kosova dhe Serbia mund të përballen me njëri-tjetrin. Pra, ka gjasa. /Klankosova.tv