Të dielën, më 14 nëntor, do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale. Sot në komunat që kanë shkuar në balotazh, kandidatët do të kenë rastin ta mbyllin fushatën zgjedhore, transmeton Kosova Post.
Komunat që kanë mbetur të përcaktohen për të zgjedhur për kandidatët të cilët do të qeverisin për një mandat 4 vjeçar, janë: Prishtina, Prizreni, Gjilani, Gjakova, Podujeva, Drenasi, Kaçaniku, Istogu, Dragashi, Fushë Kosova, Obiliqi, Klina, Kamenica, Rahoveci, Juniku, Vitia, Malisheva, Vushtrria, Shtimja, Kllokoti dhe Mamusha.
Në këto 21 komuna, ku drejtë vote kanë 1,260,571 qytetarë, procesi i votimit do të mbahet në 66% të vendvotimeve apo në 1,638 nga 2,477.
Lëvizja Vetëvendosje e cila doli e para në zgjedhjet nacionale, në raundin e dytë Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do të garojë në 12 komuna: Prishtinë, Prizren, Gjilan, Shtime, Gjakovë, Rahovec, Fushë Kosovë, Podujevë, Kaçanik, Obiliq, Viti dhe Kamenicë.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të jetë në garë në nëntë komuna: Prishtinë, Gjilan, Viti, Vushtrri, Istog, Fushë Kosovë, Dargash, Podujevë dhe Junik.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) garon në raundin e dytë në tetë komuna: Drenas, Kaçanik, Shtime, Vushtrri, Malishevë, Prizren, Dragash dhe Klinë.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) garon në pesë komuna: Gjakovë, Klinë, Rahovec, Junik dhe Istog.
Ndërsa, partia NISMA Socialdemokrate do të jetë në balotazh vetëm në Komunën e Malishevës.
Fushata në përgjithësi ka shkuar e qetë dhe pa incidente, ndërsa pritet që edhe të dielën procesin zgjedhor ta përcjell një atmosferë po ashtu e qetë dhe me një frymë demokratike./KosovaPost/