Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka folur mbi raportet që ajo ka me kryeministrin Albin Kurti.
Osmani tha se me Kurtin nuk kanë asnjë luftë politike dhe si presidente e Kosovës, kërkon që të respektohet kushtetuta, territori i Kosovës, funksionaliteti i shtetit dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2015 në lidhje me temën e Asociacionit.
“Nuk ka asnjë luftë politike, presidentja e Kosovës kërkon vetëm e vetëm që të respektohet Kushtetuta, territori i saj, funksionaliteti i shtetit dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2015. Këto janë parime bazë që unë kam kërkuar gjithnjë që të respektohen dhe po bëhen më shumë se 10 vite. Atë qëndrim që e kam pasur sa kam qenë deputete sa i përket kësaj teme, të njëjtin e mbaj edhe sot”, tha Osmani, njofton kk.
Osmani foli edhe për propozimin e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i propozuar në tetor të vitit të kaluar, duke thënë se ka shprehur shqetësime për së paku tri tema kapitale për të.
“Për sa i përket draftit të tetorit të vitit të kaluar, që si presidente unë s’e kam shpallur në përputhje me Kushtetutën, e as nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, por kam shprehur shqetësimet për së paku tri tema kapitale që janë të përfshira në atë statut, që duhet paraprakisht të trajtohen, para se të mund të flasim për ndonjë zbatim eventual. Nuk ka asnjë luftë politike. Si presidente luftojë për një gjë, kushtetutshmërinë e vendit tim”.
“Kur vendoset interesi shtetëror, dhe interesi qytetar, çdo dallim është i tejkalueshëm. Se cili ka qenë dallimi, të gjithë e dini, tash është e domosdoshme që të gjitha institucionet, partitë politike bashkë të ulemi e të reflektojmë për çështje të interesit nacional”, tha Osmani.