“Shfarosja e popullit shqiptar të Kosovës dhe spastrimi etnik, ishin synimet e regjimit kriminal serb në të gjitha vendet ku u kryen masakrat në tërë territorin e Kosovës”. Kështu ka deklaruar presidentja Vjosa Osmani në 25 vjetorin e masakrës në lagjen “Dardania” në Pejë, përcjell KosovaPost.
Osmani thotë se brutaliteti i regjimit gjenocidal serb përgjatë muajit mars të vitit 1999 përfshiu pjesë të ndryshme të Kosovës, ndërsa më 27 mars të atij viti, në lagjen “Dardania”, në Pejë, u ekzekutuan barbarisht 40 burra, gra e fëmijë.
“Në këtë përvjetor, bashkëndjejmë me familjet e tyre dhe riafirmojmë angazhimin tonë për drejtësinë dhe të vërtetën. Qoftë i përhershëm kujtimi për 40 të vrarët në lagjen “Dardania””, ka shkruar presidentja Osmani në Facebook.