Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, është takuar me të dërguarin e posaçëm të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi në Twitter nga Osmani.
Tema kryesore e këtij takimi ka qenë dialogu midis Kosovës dhe Serbisë.
“Derisa isha në Londër, u takova gjithashtu me të dërguarin special të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Peach. Diskutuam zhvillimet e fundit, duke përfshirë hapat e rëndësishëm në dialog, integrimin euroatlantik të Kosovës, si dhe domosdoshmërinë për të forcuar më tej lidhjen dhe bashkëpunimin tonë me Britaninë e Madhe”, ka shkruar Osmani në Twitter.
Kujtojmë se javën e kaluar në Bruksel u mbajtë takimi i fundit midis Kosovës dhe Serbisë ku u nënshkrua marrëveshja për çështjen e të pagjeturëve.


























