Deputetja nga radhët e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, i ka kërkuar llogari Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, për reagimin ndaj grupit “#mekryeministrin”, që e ka krijuar vëllai i saj.
Ky është grupi i dytë që është krijuar me këtë emër, meqenëse i pari është mbyllur nga Facebook.
Pacolli ia ka parashtruar disa pyetje AGK-së, pas reagimit për gjuhën linçuese që përdorej kundrejt gazetarëve në grup.
“Seriozisht AGK? Po mirreni me një grup të krijuar në Facebook edhe po më cilësoni kinse unë po mbështes gjuhën linçuese ndaj gazetarëve? Unë po i vësha në rrezik gazetarët? Ku ishit ju AGK kur dje emri im u përmend në secilin portal? A nuk është ky një lloj linçimi që portalet po e bëjnë ndaj meje dhe një grupi të krijuar nga disa djemë e vajza që asnjë të keqe nuk i kanë bërë askujt? A nuk është linçim kur telefoni im nuk ndalet sepse “gazetarët” thërrasin edhe pyetjet janë jo etike?”, ka shkruar Pacolli.
Ajo ka thënë se s’ka linçuar e kërcënuar gazetarët, derisa e ka lutur AGK-së që nëse gjejnë ndonjë kërcënim apo linçim që ka bërë ajo, ta dërgojnë menjëherë në gjykatë.