Kosova nga Plani Evropian i Rritjes pritet të përfitojë mbi 880 milionë euro. Mbi 250 milionë euro do të jenë fonde pa kthim, ndërsa pjesa tjetër do të jepet në formën e kredive të favorshme.
Pesë nga gjashtë shtetet e rajonit janë përfituese të kësaj pakoje. Sidoqoftë, asnjëra prej tyre nuk i ka përmbyllur ende procedurat e brendshme. Vetëm Bosnja dhe Hercegovina për momentin nuk konsiderohet shtet përfitues, pasi nuk ka përmbushur as kushtin fillestar – përpilimin e agjendës së reformave.
Për të diskutuar proceset në kuadër të Planit të Rritjes, liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor do të mblidhen javën e ardhshme në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut. Në samitin e radhës, sipas të gjitha gjasave, do të marrë pjesë edhe komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos.
Pritet që në këtë takim të konfirmohet edhe një herë gatishmëria e Komisionit Evropian për të nisur me pagesat e para sa më shpejt të jetë e mundur, por paraprakisht të gjitha vendet duhet të përmbyllin procedurat e domosdoshme.
Plani i Rritjes është paketa më ambicioze financiare e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor. Kjo paketë kap shumën prej 6 miliardë eurosh, nga të cilat 2 miliardë euro janë grante pa kthim, ndërsa pjesa tjetër do të jepet në formën e kredive të favorshme.rtk.