Palët ndërluftuese të Jemenit kanë rënë dakord për një armëpushim dy-mujor që do të ndalojë të gjitha operacionet sulmuese ushtarake ajrore, tokësore dhe detare, transmeton KosovaPost.
I dërguari special i OKB-së për Jemeni, Hans Grundberg, në një deklaratë tha se marrëveshja, e cila hyn në fuqi të shtunën në orën 19:00 sipas kohës lokale, është i rinovueshëm.
“Gjatë këtyre dy muajve, planifikoj të intensifikoj punën time me palët me qëllim arritjen e një armëpushimi të përhershëm, adresimin e masave urgjente ekonomike dhe humanitare dhe rifillimin e procesit politik”, tha ai.
“U bëj thirrje palëve që t’i përmbahen dhe respektojnë plotësisht armëpushimin dhe elementët e tij, si dhe të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për ta zbatuar menjëherë atë”, shtoi ai.
Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite që lufton rebelët Huthi të Jemenit tha të martën se do të pezullojë operacionet ushtarake për të siguruar suksesin e konsultimeve të vazhdueshme, si dhe të krijojë një mjedis pozitiv për përpjekjet paqeruajtëse gjatë Muajit të Shenjtë të Ramazanit.
Jemeni është përfshirë nga dhuna dhe paqëndrueshmëria që nga viti 2014, kur rebelët Huthi pushtuan pjesën më të madhe të vendit, duke përfshirë kryeqytetin Sanaa.
Një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite, i cili kërkon të rivendosë qeverinë jemenase, e ka përkeqësuar situatën, duke shkaktuar një nga krizat më të këqija humanitare të krijuara nga njeriu në botë.
Sipas vlerësimeve të OKB-së, gati 80 për qind, ose rreth 30 milionë njerëz, kanë nevojë për ndihmë dhe mbrojtje humanitare, ndërsa më shumë se 13 milionë njerëz në rrezik nga uria./AA