Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar aktakuzën për korrupsion ndaj ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ish-sekretarit Kushtrim Cukaj dhe tre të tjerëve, Fitim Mustafa, Demush Shasha e Nuhi Osmani.
Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2021, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, Kushtrim Cukaj dhe Fitim Mustafa po akuzohen se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me nenin 77 paragrafi 1 të KPRK-së.
Në aktakuzë thuhet se Hoxha në cilësinë e ministres së MIE-së, kishe tejkaluar kompetencat e saj me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore personit tjetër, respektivisht operatorëve ekonomik “Majorelle PR & Events” dhe “Madison Strategies LLC”.
Siç thuhet në aktin akuzues, Hoxha më 11 maj 2018 kishte kërkuar nga Sekretari i Përgjithshëm i MIE-së, Demush Shasha nisjen e procedurave të prokurimit për aktivitetin e prokurimit “Shërbime të konsulencës për nevojat e MIE-së”, duke përcaktuar procedurën që duhej aplikuar dhe emrin e “Majorelle PR & Events” me të cilin duhej lidhur kontrata.
Sipas aktakuzës, e njëjta e bëri këtë edhe pse e kishte ditur se sipas ligjit këto nuk ishin në kompetencë të ministrit, me ç ‘rast ata i kanë mundësuar këtij operatori lidhjen e kontratës në vlerë 180 mijë euro dhe si rrjedhojë edhe përfitimin e dobisë pasurore në këtë vlerë.
Më pas, në aktakuzë thuhet se më 21 shkurt 2019, Hoxha kishte kërkuar nga UD i Sekretarit të Përgjithshëm të MIE-së, Kushtrim Cukaj vazhdimin e kontratës së lartcekur në bazë të procedurës së njëjtë, me këtë rast ia ka mundësuar “Majorelle PR & Events” që të vazhdojë kontratën në vlerë prej 168 mijë euro dhe përfitimin e dobisë pasurore në këtë vlerë.
Por çfarë vepre saktësisht joligjore ka kryer Dhurata Hoxha?
Sipas një hulumtimi nga BIRN, në vitin 2019 Ministria e Integrimeve Evropiane e Kosovës i pagoi 168,000 euro një kompanie me seli në Paris që kishte promovuar idenë se “modifikimi i territorit” mund të jetë një zgjidhje në dialogun Kosovë – Serbi.
Sipas dokumenteve të siguruara nga BIRN, mes tjerash, kompania ishte e ngarkuar të formësojë një mendim evropian në favor të asaj që përshkruhet si “pozicioni i Kosovës” që mbështet “modifikimin territorial” si një mjet për të arritur një marrëveshje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë.
Kontrata me ‘Majorelle’ u nënshkrua dhe u negociua në vitin 2018 nga Dhurata Hoxha, Ministre e atëhershme për Integrime Evropiane nga radhët e PDK-së në qeverinë e koalicionit PAN të udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Kjo kontratë u vazhdua më pas në mars të vitit 2019.
Ky raport i kwsaj kompanie kishte konkluduar se Rihapja e diskutimeve për paqen është përqendruar shpejt në modifikimin e kufirit territorial dhe ka vënë në tavolinë debatin/tabunë për rishqyrtimin e mundshëm të hartës së Ballkanit…
Ky raport gjithashtu vë në dukje se rivendosja e kufijve të Ballkanit në tavolinën e bisedimeve ishte “e befasishme, që ngrit frikë, shqetësim për rinisjen e luftës ballkanike”, duke shtuar se: “Kjo çështje shpesh është keqkuptuar dhe është keqinterpretuar nga media dhe politika franceze, duke e parë këtë si një rihapjeje të mundshme të kutisë së Pandorës dhe të një rreziku të shtuar që kjo mund të paraqesë ‘domino efekt’ në rajon.”
Raporti vjen në përfundim se përkundër mbështetjes së SHBA-së dhe zbehjes së tabusë rreth kësaj çështjeje në Evropë, mundësia për të arritur një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë bazuar në ndryshimin e kufijve, e cila potencialisht kishte mundur të arrihej gjatë viteve 2018 dhe 2019, po shihte fundin e saj
Ideja e shkëmbimit territorial u ngrit nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili publikisht përkrahu këtë ide në Forumin Evropian 2018 në Alpbach, Austri, kur ishte pjesëmarrës i një paneli diskutimi me homologët e tij nga Ballkani Perëndimor. I pyetur nga moderatori i panelit nëse ai ishte i gatshëm ta hiqte dorë nga territori i Kosovës në këmbim të një zgjidhjeje finale me Serbinë, Thaçi në mënyrë spektakolare u përgjigj: “Po, unë jam në favor të korrigjimit të kufijve”.