Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, priti në një takim kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM), Mustafa Şentop, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare dyditore në Shqipëri, transmeton Kosova Post.
Takimi Meta-Şentop është realizuar në selinë e Presidencës së Shqipërisë, ndërkohë në fokus të bisedimeve të tyre ishin çështjet për marrëdhëniet mes dy vendeve, ndihma e Turqisë për ndërtimin e banesave për familjet e prekura nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019 dhe çështje të tjera.
Sipas njoftimit nga Presidenca e Shqipërisë, duke vlerësuar marrëdhëniet tradicionale të shkëlqyera mes dy vendeve e popujve dhe pasi nënvizoi rëndësinë e zhvillimit të mëtejshëm të tyre në të ardhmen, Meta theksoi nevojën e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën ekonomike dhe rritjes së investimeve turke në Shqipëri.
“Përvoja e bashkëpunimit si dy vende aleate në NATO dhe partneriteti strategjik midis Shqipërisë dhe Turqisë mbeten një platformë e rëndësishme e përpjekjeve të përbashkëta për sigurinë dhe paqen”, është shprehur presidenti i Shqipërisë.
Gjithashtu theksohet se presidenti Meta e falënderoi kryeparlamentarin Şentop për solidaritetin dhe ndihmën e menjëhershme të dhënë nga autoritetet turke pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, si dhe për angazhimin e Turqisë dhe të presidentit Recep Tayyip Erdoğan për ndërtimin e apartamenteve të banimit për të prekurit nga tërmeti në zonën e Kurbinit, si dhe për ndërtimin e Spitalit të Fierit.
Kryeparlamentari turk në ditën e parë të vizitës u takua edhe me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi dhe pritet të takohet edhe me kryeministrin Edi Rama.(AA)