Sipas një studimi në Mbretërinë e Bashkuar, disa njerëz me Covid të gjatë ka të ngjarë të kenë dëmtime të fshehura në mushkëri, përcjell KosovaPost.
Shkencëtarët përdorën një metodë të re të skanimit të gazit për të zbuluar anomalitë në mushkëri që nuk mund të shihen nga ekzaminimet rutinë. Ata analizuan 11 persona që nuk kishin nevojë për kujdes spitalor kur u infektuan me Covid-19, por patën një problem afatgjatë me gulçim pas përfundimit të sëmundjes.
Ekspertët thonë se ky studim jep disa përgjigje për paqartësinë për Covid-in e gjatë – një gjendje që zgjat me javë pas infektimit me koronavirus dhe nuk mund të shpjegohet me ndonjë shkak apo sëmundje tjetër.
Problemi i transferimit të oksigjenit
Shkencëtarët nga Oxford, Sheffield, Cardiff dhe Manchester krahasuan imazhet e skanimit të gazit dhe ekzaminimet e tjera të mushkërive në tre grupe njerëzish. Midis tyre ishin 11 persona me Covid të gjatë që kishin vështirësi në frymëmarrje, 12 që u shtruan në spital pas infeksionit me koronavirus, por pa simptoma të Covid të gjatë dhe 13 njerëz të shëndetshëm që shërbyen si grup kontrolli.
Të gjithë pjesëmarrësit e studimit thithën gaz ksenon gjatë imazhit të rezonancës magnetike (MRI). Gazi sillet në një mënyrë shumë të ngjashme me oksigjenin, por mund të monitorohet vizualisht gjatë skanimit, kështu që ekspertët ishin në gjendje të “shikonin” se sa me efikasitet lëviz nga mushkëritë në qarkullimin e gjakut, i cili është një pjesë kyçe e transferimit të oksigjenit në të gjithë trupin.
Ata zbuluan se për shumicën e njerëzve me Covid të gjatë, transmetimi i gazit ishte më pak efikas sesa në grupin e kontrollit. Anomali të ngjashme janë vërejtur edhe tek ata të shtruar në spital për Covid, raporton BBC.
Ky është një hulumtim shumë i rëndësishëm
Specialistja e mushkërive Emily Fraser tha se është zhgënjyese kur pacientët vijnë në klinikë dhe ajo nuk mund t’u shpjegojë atyre saktësisht pse kanë probleme me frymëmarrjen, veçanërisht kur rrezet X dhe CT nuk tregojnë anomali.
“Ky është një hulumtim shumë i rëndësishëm dhe me të vërtetë shpresoj se do të na japë disa përgjigje”, tha Fraser, duke shtuar se është e rëndësishme të dihet se trajtimet rehabilituese dhe ushtrimet e frymëmarrjes mund të jenë një ndihmë e madhe gjatë një COVID-19 të gjatë.