Presidenti amerikan Joe Biden, ka biseduar me telefon me Presidentin kinez Xi Jinping.Gjatë bisedës, të dy udhëheqësit theksuan nevojën për të shmangur rivalitetin midis ekonomive më të mëdha të botës që përshkallëzohet në një konflikt, thanë nga Shtëpia e Bardhë, transmeton Kosova Post.
Siç u tha, të dy udhëheqësit, gjatë bisedës 90 minutëshe diskutuan mbi çështjet strategjike, të cilat përfshinin fushat ku ka interesa të përbashkëta, si dhe ato ku ka mosmarrëveshje midis dy vendeve, raporton Reuters.
“Presidenti Biden nënvizoi angazhimin e vazhdueshëm të SHBA-së për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në Indo-Paqësorin dhe në të gjithë botën, dhe të dy udhëheqësit diskutuan përgjegjësinë e të dyja palëve për të siguruar që konkurrenca midis dy vendeve të mos përshkallëzohet në konflikt,” , thuhet në deklaratën zyrtare.
Gjithashtu u tha se biseda u përqëndrua në çështjet ekonomike, ndryshimet klimatike dhe pandeminë kovid 19.
Media shtetërore kineze raportoi se biseda ishte “e sinqertë” dhe “gjithëpërfshirëse”, dhe theksoi se Presidenti Xi, tha se politika amerikane ndaj Kinës rëndon shumë marrëdhëniet midis dy vendeve.
Sipas këtij raporti, të dyja palët ranë dakord të mbajnë kontakte të shpeshta dhe se ekipet në nivel operacional gjithashtu intensifikojnë komunikimin.
Takimet e rastit të nivelit të lartë që nga biseda e parë telefonike e Xia dhe Biden në shkurt sollën pak përparim në një sërë çështjesh, nga ndryshimet klimatike tek të drejtat e njeriut dhe transparenca e hetimit mbi origjinën e koronavirusit. Që atëherë, të dy vendet kanë shkëmbyer akuza pothuajse pa pushim, duke sanksionuar zyrtarët dhe duke kritikuar njëri -tjetrin për dështimin në përmbushjen e detyrimeve të tij ndërkombëtare./Kosova Post.