Hipopotamët po vrasin dhjetëra njerëz në Ugandë.
Të paktën 27 njerëz janë vrarë nga hipopotamët në dy muajt e fundit përgjatë Liqenit Victoria, sipas udhëheqësve lokalë.
Në mesin e të vrarëve gjenden gra dhe fëmijë që shkojnë të marrin ujë në brigjet e liqenit, si dhe peshkatarë të cilët përdorin anije të vogla peshkimi.
Zona më e goditur është zona e brigjeve të liqenit të rrethit Wakiso, ku janë vrarë shumica e viktimave nga hipopotamët.
“Hipopotamët po e shuajnë popullin tonë. Hipopotamët po vrasin më shumë njerëz në zonën tonë sesa COVID-19. Në dy muajt e fundit, 27 njerëz janë vrarë nga hipopotamët”, tha Charles Mukalaz, udhëheqësi i këshillit lokal të zonës.
Ai tha se ata janë ankuar tek autoritetet e botës së egër të Ugandës disa herë, por asgjë nuk është bërë ende.
Kryetari i rrethit Wakiso, Matiya Lwanga Bwanika, tha se ka disa hipopotamë që janë të njohur për vrasjen e njerëzve në rrethin e tij.
“Pas vrasjes, ata fshihen për një kohë të shkurtër dhe pastaj vijnë dhe vrasin përsëri”, tha ai.
Ai u bëri thirrje autoriteteve të botës së egër që të dërgojnë personelin e saj që të merren me kafshët.
“Është shumë e keqe që hipopotamët po vrasin njerëz. Megjithatë, të gjithë jemi të vetëdijshëm që hipopotamët qëndrojnë në ujë. Disa herë, njerëzit shkojnë afër vendit ku shumohen, duke kërkuar peshk dhe ata sulmohen nga hipopotamët”, tha zëdhënësi i Autoritetit të Botës së Egër të Ugandës, Wildir Bashir Hangi.
Ai tha se ata së shpejti do të sensibilizojnë njerëzit se si të jetojnë me hipopotamët dhe kafshët e tjera të ujit si krokodilët, ndërsa premtoi se ata do të kapin dhe zhvendosin “hipopotamët problematikë”.