Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani bën të ditur se dje, ka pritur në vizitë stafin e Ambasadës Amerikane.
Sinani thotë se në takim me zyrtarët amerikanë kanë diskutuar për çështje tepër të rëndësishme që kanë të bëjnë me shqiptarët atje.
‘Sot patëm kënaqësinë të mirëpresim në komunën tonë zyrtarët e Ambasadës Amerikane, Nicholas Enz – zyrtar politik, dhe Ksenia Llazoviq nga departamenti politik. Në takimin tonë, u trajtuan tema të rëndësishme për të ardhmen e qytetarëve tanë”, ka shkruar Sinani.
Sinani thekson tutje se fokus i veçantë iu kushtua shërbimi i detyrueshëm ushtarak, pasivizimi i adresave si dhe mospranimi i diplomave të Kosovës.
“Këto janë shkaktarët kryesorë të emigrimit të të rinjve tanë. Ndërkohë, diskutuam edhe për çështje të tjera kritike si: Mungesa e librave shqip, përdorimi i lirë i simboleve kombëtare, mospërmbushja e marrëveshjeve ndërkombëtare, Marrëveshja e Konçulit e vitit 2001, rekonstruimin të Trupi Bashkërendues-2009 dhe Planin 7-pikësh-2013 dhe mungesa e investimeve në zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturë”, ka njoftuar kryetarja e Preshevës.
Për më tepër kryetarja Sinani tha se ka marrë zotime nga përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane për zgjidhjen e këtyre problemeve. “Treguan gatishmërinë për të avokuar në zgjidhjen e këtyre problemeve, duke kontribuar për të siguruar një të ardhme më të mirë për qytetarët tanë” , ka shkruar kryetarja Ardita Sinani.