Ka përfunduar takimi në mes kryeministrit të vendit Albin Kurti dhe ambasadorëve të vendeve të QUINT-it në Kosovë.
Lajmin për kk e ka konfirmuar zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili tha se detaje rreth këtij takimi do të jepen më vonë.
“Takimi me ambasadorët e shteteve të QUINT-it tashmë ka përfunduar. Për më shumë në lidhje me takimin do të njoftoheni nëpërmjet komunikatës për media”, është shprehur Kryeziu.
Ky takim vjen tri ditë para përfundimit të afatit për konvertimin e targave ilegale serbe në ato RKS.
Kujtojmë se ShBA-ja dhe BE-ja i kanë bërë thirrje kryeministrit të vendit Albin Kurti që ta shtyjë afatin për konvertimin e targave ilegale serbe për 10 muaj, ndërsa shefi i qeverisë ka insistuar se nuk do të ketë shtyrje të sërishme të afatit.
Ambasadorët e QUINT-it dhe përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, edhe një javë më parë, ishin takuar me kryeministrin Albin Kurti.
Kurti, gjatë këtij takimi, u kishte thënë ambasadorëve se vendimi për konvertimin e targave nga ato ilegale në legale nuk është vendim i drejtuar kundër serbëve të Kosovës.