Ushtria e Aleancës Demokratike Kombëtare të Mianmarit, një nga grupet e armatosura etnike kundër puçit ushtarak në kufirin Mianmar-Kinë njoftoi vrasjen e më shumë se 23 ushtarëve të qeverisë, transmeton Kosova Post.
Ushtria e Aleancës Demokratike Kombëtare të Mianmarit (MNDAA) një nga grupet e armatosura etnike kundër puçit ushtarak në kufirin e Mianmarit me Kinën njoftoi vrasjen e më shumë se 23 ushtarëve të qeverisë, shkruan AA.
Sipas lajmit të faqes “The Hindu”, bëhet e ditur se një nga zëdhënësit e MNDAA ka thënë se në konfliktet e shënuara në zonën pranë kufirit me Kinën janë vrarë të paktën 23 ushtarë të qeverisë.
Ndërkohë sipas lajmeve në shtypin lokal, përleshjet shpërthyen më 28 gusht teksa ushtarët në zonën Mongko në rajonin Shan tentuan të marrin nën kontroll nga MNDAA një bazë.
Zëdhënësi i grupit tha se “Erdhën të merrnin bazën tonë. I goditëm ata gjatë ardhjes së tyre”.
Ai theksoi se 15 ushtarë u vranë më 28 gusht, 8 më 1 shtator kur rifilluan konfliktet si dhe vrasjen e 1 personi nga MNDAA.
Grusht shteti ushtarak në Mianmar
Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.
Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.
Komuniteti ndërkombëtar kryesisht OKB-ja dhe Bashkimi Evropian dënuan grushtin e shtetit dhe morën vendime sanksionuese me objektiv administratën e juntës.
Britania e Madhe, me arsyen e shkeljes së të drejtave themelore të njeriut vendosi më parë në listën e sanksioneve ministrin e Mbrojtjes të juntës së Mianmarit, Gjenralin Mya Tun Oo, ministrin e Brendshëm gjeneral lejtant Soe Htut dhe zv.ministrin e Brendshëm gjeneral lejtant, Than Hlaing.
Në Mianmar vazhdojnë konfliktet mes ushtrisë dhe grupeve kundërshtare të grushtit të shtetit ndërkohë që deri më tani 1.006 persona e kanë humbur jetën si pasojë e ndërhyrjes së armatosur të ushtrisë ndaj protestuesve kundër grushtit të shtetit.