Toka e shtëpi të përmbytura, dëme në blegtori, rruga e ura të shkatërruara janë pasojat e reshjeve të dendura të shiut që përfshinë të shtunën qarkun e Tropojës.
Shiu ka pushuar, por banorët po përballen më dëmet që i cilësojnë katastrofike.
Në një lidhje telefonike për Ora News një banor nga fshati Zharkë i Tropojës tha se u është shkatërruar çdo gjë.
“Nuk ekziston asgjë, është shkatërruar çdo gjë.”
Idriz Sadiku thotë se asnjë përfaqësues i pushtetit vendor nuk ka shkuar të shohë situatën atje.
“Kam udhëtuar nga Londra në Tropojë, por pushteti nuk pyet a kemi vdekur apo jo.”
Por nënprefekti i qarkut, Mujo Gosturani në një komunikim me Ora News tha se situata të dielën është më e qetë.
“Ka pasur probleme de bllokim rrugësh. Problemi më i rënduar ka qenë në disa fshatra.”
Në disa fshatra ende nuk është rikthyer energjia e të tjera janë bllokuar për shkak të dëmtimit të rrugëve dhe urave.
Ditën e shtunë thuajse i gjithë vendi u përfshi nga reshje të dendura shiu që shkaktuan probleme në qarkullim në disa prej akseve kryesore.
Pavarësisht dëmeve të mëdha në disa zona, reshjet kanë rritur nivelin e ujit në hidrocentrale./oranews