Në Stamboll të Turqisë sot do të mbahet Forumi i parë ekonomik i bizneseve ndërmjet Kosovës dhe Turqisë. Para nisjes së forumit, kryeministri Albin Kurti ka takuar ministrin e Tregtisë së Turqisë, Omer Bolat.
Gjatë qëndrimit në Turqi, kryeministri Kurti është pritur nga diaspora, si dhe ka takuar afaristë shqiptarë nga sektorë të ndryshëm që veprojnë në Turqi.
Kurti ka theksuar se marrëdhënia me Turqinë është e fortë, e gjerë dhe e thellë, marrëdhënie edhe historike edhe kulturore.
“Ne dëshirojmë, që marrëdhëniet e shkëlqyera që i kemi me Republikën e Turqisë, t’i avancojmë edhe më tej në bashkëpunim sidomos në dy fusha: në ekonomi e tregti në njërën anë dhe në mbrojtje e siguri në anën tjetër”, ka theksuar Kurti.
Duke i njoftuar për progresin e Kosovës, kryeministri ka thënë se katër fusha ku i kemi bërë investimet më të mëdha janë: mbrojtja e siguria, bujqësia, arsimi edhe shëndetësia. Në aspektin e sigurisë ai përmendi ushtarët dhe oficerët e Ushtrisë së Kosovës, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve janë në Republikën e Turqisë duke u trajnuar në mënyrë që të jenë sa më të përgatitur për mbrojtjen dhe sigurinë e Republikës së Kosovës.