Policia dhe Prokuroria e Kosovës japin detajet e vrasjes së dyfishtë në Gjakovë

Policia dhe Prokuroria e Kosovës japin detajet e vrasjes së dyfishtë në Gjakovë

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë kanë mbajtur një konferencë për media në lidhje me vrasjen e dyfishtë në Gjakovë, ku u privuan nga jeta Valbona Marku-Nrecaj dhe e bija e saj nëntëvjeçare.

Nënkoloneli, Ahmet Hasi, ka bërë të ditur që ditën e vrasjes me datën 07.082018 viktima ishte paraqitur në polici rreth orës 15:30 me ç’rast ka njoftuar se kishte pranuar mesazhe kërcënuese nga i dyshuari, Pjetër Nrecaj.

Sipas Hasit policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe ka hapur rastin si kanosje.

“Policia menjëherë ka ndërmarrë masat për kërkimin dhe arrestimin e të dyshuarit. Fillimisht është kërkuar në shtëpinë e tij, më pas edhe në disa lokacione ku ka pasur informacione që mund të gjendet. Në pamundësi të gjetjes është provuar të kontaktohet edhe përmes të telefonit”.
Nënkoloneli gjithashtu ka bërë të ditur se viktima nuk ka kërkuar mbrojtje apo strehim.

Rreth orës 21:00 policia ka marrë informatën për të shtëna armësh. Pjetër Nrecaj kishte shkuar në shtëpinë e familjes së bashkëshortes në lagjen Bretkoc të Gjakovës dhe me armën e tipit kallashnikov privoi nga jeta bashkëshorten e tij, Valbona Marku-Nrecaj dhe vajzën e tij nëntëvjeçare K.N.

Armend Zenelaj nga Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë të ditur se ka nisur hetim ndaj Pjetër Nrecaj dhe se dje është mbajtur seanca dëgjimore mirëpo është ndërprerë. Zenalaj ka thënë se në momentin kur i dyshuari ka kuptuar se ka vrarë edhe vajzën e tij është alivanosur.
Pjeter Nrecaj aktualisht gjendet në QKUK dhe pas lirimit nga spitali pritet të vazhdojë seanca.

Agim Pula nga Zyra për Mbrojtjen e Viktimave deklaroi se i kanë ofruar strehim viktimës por ajo nuk ka pranuar, me arsyetimin se do te strehohet tek familjarët e saj. Sipas tij vëllai i të ndjerës ishte deklaruar se do t’i marrë në mbrojtje motrën dhe fëmijët deri sa të zgjidhet problemi.

Ndërkohë Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur hetime ndaj zyrtarëve policorë që ishin të përfshirë në këtë rasti. /KlanKosova