Policia e Kosovës në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore pas një hetimi me plan operativ ka bërë të ditur se ka mbyllur 44 sallone të masazheve në vend, nga 55 inspektime gjithsej, raporton KosovaPost.
Mes tjerash në komunikatës e Policisë thuhet se gjatë këtij Plani Operativ, të koduar “Masazh-Dhjetori-2022”, i cili është realizuar në nivel vendi, janë legjitimuar 145 persona, ndërsa janë shqiptuar edhe gjoba për parregullsi të evidentuara në këto sallone.
“Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, me qëllim të marrjes së masave proaktive dhe verifikimin e informatave në terren, ka hartuar një plan operativ në funksion të Inspektimit të Salloneve të Masazheve, plan i cili është realizuar në bashkëpunim dhe mbështetje të Inspektoreve nga MINT, ATK-së dhe Inspektorët e punës. Me datë 07.12.2022, Plani Operativ i koduar ‘Masazh- Dhjetori -2022’, është realizuar në nivel vendi dhe ka përfunduar me sukses të plotë”, thuhet në njoftimin e komunikatës./KosovaPost/