Polonia ka vendosur 50 subjekte ruse në listën e parë të sanksioneve, duke përfshirë emrat e oligarkëve dhe bizneseve, si Gazprom.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Brendshëm, Mariusz Kaminski duke kërkuar që të rritet presioni ndaj Moskës pas agresionit të saj në Ukrainë.
Në listë gjendet miliarderi Mikhail Fridman, manjati i aluminit Oleg Deripaska themeluesi i kompanisë ruse të sigurisë kibernetike Kaspersky, Eugene Kaspersky.
“Kjo është lista e parë e sanksioneve. Janë 50 emra, ka oligarkë dhe kompani që bëjnë biznes në Poloni. Ka gjasa, pothuajse e sigurt, që kjo listë të zgjerohet”, tha Kaminski.
Sanksionet përfshijnë ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e hyrjes në Poloni.
Polonia ka argumentuar vazhdimisht për vendosjen e sanksioneve më të ashpra kundër Rusisë dhe ka thënë më parë se do të vendosë një embargo ndaj importeve të qymyrit deri në maj dhe do të ndalojë përdorimin e naftës ruse deri në fund të vitit 2022. tg.