Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq priti në takim liderët e partive shqiptare, Nik Gjeloshajn, Genci Nimanbegun, Mehmed Zenkën dhe Fatmir Gjekën.
Kreu i Alternativës Shqiptare, Nik Gjeloshaj tha se konsultimet me Presidentin Millo Gjukanoviq mbi mandatarin për përbërjen e Qeverisë kanë qenë të mira.
“Mesazhi jonë është që procesi të përshpejtohet për të formuar sa më parë qeverinë. Presim që për mandatar të emërohet Dritan Abazoviq”,- ka thënë Gjeloshaj pas takimit.
Kreu i Forcës, Genci Nimanbegu ka thënë se në konsultimet u shpreh qartë se të gjithë duhet të veprojmë me përgjegjësi.
“Ideja që Abazoviq të jetë mandatar është e pranueshme për të dalë nga kriza politike. Shpresoj që Millo Gjukanoviq t’i japë së shpejti mandatin”, theksoi Nimanbegu.
Ai ka shtuar se janë duke u zhvilluar bisedimet për konceptin e qeverisë pakicë. Në takimin me Gjukanoviq ishte edhe kryetari i Unionit Demokratik të Shqiptarëve, Mehmet Zenka.
Ai pas takimit tha se kishin pasur një bisedë konstruktive për formimin e qeverisë së pakicave: “Ka mbështetje të parezervë, sepse situata është e paqëndrueshme për të gjithë shtetin. Është koha që të organizohet, të paktën brenda një viti, për të siguruar stabilitetin ekonomik dhe paqen në Mal të Zi dhe për të krijuar parakushte optimale për zgjedhjet parlamentare brenda një viti”,- ka shtuar Zenka.
I pyetur se kush do të formonte qeverinë e ardhshme të pakicës, Zenka ka thënë se ka pretendentë të mundshëm për Partinë Demokratike të Socialistëve, e cila do të jepte mbështetje pa marrë pjesë në qeveri, dhe LQ URA, partitë e pakicave dhe SNP nëse vendosin të jenë pjesë e qeverisë. Siç tha ai, për kryeministër është i pranueshëm kushdo që do ta nxjerrë Malin e Zi nga kjo situatë.
I pyetur nëse ai ishte Dritan Abazoviq, Zenka u përgjigj pozitivisht. “Kushdo që do ta shpëtonte Malin e Zi nga kjo situatë është i pranueshëm për ne si kryeministër”, tha Zenka duke shtuar se nuk do ta kishte problem që të ishte Abazoviq.
Kryetari i PD-së, Fatmir Gjeka, tha se edhe pas zgjedhjeve janë pro formimit të qeverisë së pakicës: “Me presidentin kemi shkëmbyer mendime se është mirë në këtë moment të shkojmë drejt formimit të qeverisë së pakicave”. Ai po ashtu tha se është më realiste që kryeministër të jetë kreu i LQ URA, Dritan Abazoviq. Të rikujtojmë se Gjukanoviq ka biseduar me përfaqësuesit e Lëvizjes Qytetare URA dhe Partisë Boshnjake (PB), ndërsa SNP nuk iu përgjigj ftesës. Përfaqësuesit e URA-a i kanë thënë Gjukanoviq-it se mandati për përbërjen e qeverisë së 43-të duhet t’i takojë Dritan Abazoviqit, kreut të asaj partie.
PB tha gjithashtu në një bisedë me presidentin se partia ishte “më afër që Abazoviq të emërohet për kryeministër“.
Abazoviq, të jetë mandatari i ri
Mandati për përbërjen e Qeverisë së re duhet t’i takojë liderit të Lëvizjes qytetare URA, Dritan Abazoviq, ka kumtuar kryetari i klubit të deputetëve të koalicionit “E zeza mbi të bardhën”, Millosh Konatar, në konsultimet me Presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.
Pas konsultimeve Konatar ka deklaruar se Gjukanoviqit ia kanë paraqitur qëndrimin se Mali i Zi nuk mund të pres më. “Bisedimet për formimin e Qeverisë Evropiane, janë në fazën përfundimtare dhe mandati për përbërjen e qeverisë së 43-të, duhet t’i takojë Dritan Abazoviqit”, ka kumtuar Konatar.
“Është njohur se ekziston shkallë e lartë e pëlqimit për formimin e një Qeverie Evropiane, e cila do të ketë synime të qarta për zhbllokimin e rrugës evropiane të Malit të Zi, të realizojë reformën zgjedhore dhe të vazhdojë luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit. Ne, duhet të jemi anëtar i ri i Bashkimit Evropian”, ka theksuar Konatar.
Partia Boshnjake pro mandatarit Abazoviq
Partia Boshnjake (PB) është më afër mendimit se lideri i Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviq, duhet të jetë mandatar për përbërjen e Qeverisë së re, ka deklaruar lideri i kësaj partie, Ervin Ibrahimoviq.
Ai këtë e ka kumtuar pas bisedimeve me Presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq. Për Partinë Boshnjake, është me rëndësi konstituimi i Qeverisë dhe i Ministrive, por edhe qëllime programore dhe interesi i qytetarëve.
“E kemi me rëndësi edhe respektimin e Partisë Boshnjake dhe të popullit boshnjak në Mal të Zi”, ka theksuar Ibrahimoviq.
Të theksojmë se Gjukanoviq ka zhvilluar konsultime me përfaqësuesit e koalicionit “E zeza mbi të bardhën”, me partinë Socialdemokratike dhe me Socialdemokratët./trt