Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lordin Stuart Peach, me të cilin temë kryesore kishin aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Europës.
Në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, si dhe mbi sfidat e sigurisë në rajon dhe përtej.
Në temën e Këshillit të Europës, Osmani theksoi se anëtarësimi i Kosovës “do të ishte triumf për demokracinë dhe për të drejtat e njeriut jo vetëm në Kosovë, por në mbarë Europën”.
Ajo ritheksoi se përmes mekanizmave të ndryshëm që i ofron Këshilli do të mundësohej mbrojtja dhe garantimi i të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim.
Osmani shprehu mirënjohjen dhe ritheksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar në këtë drejtim, sikurse në çdo proces tjetër të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
Në takim u diskutua edhe për situatën e sigurisë, me theks të veçantë në veriun e vendit.