Qeveria mbajti mbledhje të hershme sot ku u miratuan të gjitha projektligjet që ishin në rendin e ditës.
Fillimisht u shqyrtua Drafti i Strategjisë së Energjisë së Republikës së Kosovës për vitet 2022-2031.
Më pas kaloi Projektligji për Kinematografinë dhe ai për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Energjinë.
Gjithashtu, u shqyrtuan edhe drafti i Programit Edukativ për nxënësit e klasës së njëmbëdhjetë në Fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë “Edukimi për Siguri”, si dhe propozim-vendimi për kursime dhe ndarje buxhetore.
Për strategjinë e parë Kurti tha se parashikon rritje të burimeve të energjisë, sidomos të teknologjisë së erës, dhe deri në fund të vitit të ketë 1 mijë e 600 megavatë të energjisë së ripërtërishme, duke shprehur përkushtimin e integrimit në treg.
Për strategjinë e energjisë, tha se ajo i vendos qytetarët në qendër, që të kenë qasje në energji me kostot të përballueshme, dhe duke u siguruar që edhe grupet më të cenueshme të përfitojnë nga kjo strategjie, si dhe të krijohen sisteme efiçiente për ngrohje.
Ndërkohë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha që ndonëse mund të mos kenë pajtime lidhur me detajet e rrugës që duhet ndjekur sa i përket strategjisë së energjisë, ekziston një pajtim i plotë sa i përket vizionit të përgjithshëm.
Qeveria e miratoi po ashtu edhe koncept-dokumentin për rininë i cili, sipas qeveritarëve, synon ristrukturimin e plotë rinor dhe reformimin e plotë të sektorit rinor.
Aty u shqyrtua po ashtu edhe dhënia e autorizimit të ministrisë së Financave për nënshkrimin e marrëveshjeve financiare midis Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin “Ngrohtorja Solare e Prishtinës”.