Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani ende nuk i është përgjigjur propozimit të kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti, për emërimin e drejtorit të ri të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), të cilin ai e kishte dërguar para tre javësh.
Ky post mbeti i lirë, prejse Kreshnik Gashi liroi detyrën me kërkesë të kryeministrit në detyrë, Hoti. Kërkesa e Hotit, ishte mbështetur edhe nga u.d e presidentit, Osmani.
Në presidencë dhe qeveri nuk konfirmojnë nëse kanë komunikim institucional për të zgjedhur drejtorin e ri të AKI-së, ashtu siç parashihet në ligj.
Bazuar në Ligjin për AKI-në, në nenin 5.3 përcaktohet se “presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me kryeministrin, emërojnë së bashku drejtorin e AKI-së brenda 20 ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë”.
Gashit i ishte kërkuar të lironte pozitën më 17 dhjetor, 2020, por asnjëherë nuk janë dhënë detaje zyrtare, për datën e saktë kur ai e ka liruar këtë pozitë.
A po shkelen afatet ligjore?
Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti kishte deklaruar për mediat vendore në fund të vitit 2020, se “ka dërguar në presidencë, propozimin e tij për drejtorin e ri të AKI-së”.
Burime të Radios Evropa e Lirë konfirmojnë se propozimi i kryeministrit është një “personalitet që ka shërbyer në AKI, e që madje ka pasur edhe pozitë brenda këtij institucioni”. Të njëjtat burime theksojnë se Hoti ka ofruar edhe një emër të dy, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje nga Osmani.
Në presidencë insistojnë se janë brenda afatit ligjor.
“Ende jemi në afatin kohor ligjor për emërimin e shefit të ri të AKI-së”, tha në një përgjigje të shkurtër për Radion Evropa e Lirë, Bekim Kupina, këshilltar për media i ushtrueses së detyrës së presidentit, Vjosa Osmanit.
Ai shtoi se “u.d e presidentit Osmani do ta bëjë propozimin e saj siç e parasheh ligji dhe Kushtetuta e Kosovës”, pa dhënë detaje nëse kjo nënkupton një emër të ri nga ai që i është propozuar nga kryeministri në detyrë, Hoti.
Antigona Baxhaku, këshilltare politike e kryeministrit në detyrë, Hoti, tha për Radion Evropa e Lirë, se në pikëpamjen e qeverisë, ‘u.d e presidentit, Vjosa Osmani ka të drejtë që të ketë propozimin e saj për drejtorin e ri të AKI-së, pasi kjo përcaktohet me ligj”.
“Megjithatë, vendimi final nuk mund të merret pa pajtueshmëri ndërmjet u.d presidentit dhe kryeministrit në detyrë”, tha Baxhaku.
Drejtori i AKI-së, i cili emërohet për një mandat pesëvjeçar me mundësi vazhdimi, i përgjigjet drejtpërdrejt kryeministrit./Rel/