Qeveria e Kosovës ka udhëzuar Agjencinë Kosovare të Privatizimit që të mos vendos në shitje asetet që mund të transferohen në Fondin Sovran.
Një vendim i tillë është marrë në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës.
Sipas njoftimit të ZKM-së, këto asete mund të ofrohen për qiradhënie të rregullt, deri në miratimin e politikës së Qeverisë lidhur me themelimin e Fondit Sovran.
“Në vazhdim është miratuar vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr.07/09 i datës 01.07.2020, sipas të cilit pikat 2, 3 dhe 4 të Vendimit Nr.07/09 të datës 01.07.2020 shfuqizohen, ndërsa shtohet pika 2 sipas të cilës: “Udhëzohet AKP të mos vendos në shitje asete që janë të identifikuara si potenciale për t’u transferuar në Fondin Sovran, para miratimit të politikës së Qeverisë lidhur me themelimin e Fondit Sovran” dhe shtohet pika 3: “Asetet mund të ofrohen për qiradhënie të rregullt, deri në miratimin e politikës së Qeverisë lidhur me themelimin e Fondit Sovran”.
Marrë parasysh nismën e Qeverisë në drejtim të themelimit të Fondit Sovran, është e domosdoshme që të parandalohet tjetërsimi i aseteve jetike për utilizimin e tyre në qëllim të interesit shtetëror, përmes Fondit Sovran. Andaj, me qëllim të përmbushjes së obligimeve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit në pajtim me politikat e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ky Vendim i Qeverisë së Republikës së Kosovës, plotëson/ndryshon vendimin e Qeverisë Nr.07/09 i datës 01.07.2020”, ka njoftuar ZKM-ja.