Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka folur në lidhje me miratimin e projekt-buxhetit për vitin 2023 në vlerë 3.21 miliardë euro dhe me të hyra që pritet të arrijnë 2 miliardë e 884 milionë euro.
Kreu i qeverisë tha se për sektorin e shëndetësisë janë ndarë 296 milionë euro, ku 60 milionë janë për barna esenciale.
Tutje, ai foli edhe për buxhetin për infrastrukturën shëndetësore, ku tha se është rritur numri i stafit mjekësor me 400 pozita shtesë, të cilët 300 janë në nivel lokal e 100 në atë qendror.
“Për zhvillimin e hershëm të fëmijëve kemi vazhduar linjën buxhetore për ndërtimin e çerdheve për 11 çerdhe të reja. Po ashtu kemi rritur kapacitet njerëzore me 243 pozita të reja. Ndërsa, kemi përmbushur premtimin për 500 asistentë për fëmijë me aftësi të kufizuara”, është shprehur Kurti.
Më tej, ai tha se qeveria, për mbështetjen e ndërmarrjeve publike ka ndarë 40 milionë euro investime që ato të bëhen fitimprurëse.