Të dy kryeministrat shqiptarë, Albin Kurti dhe Edi Rama, kanë nderuar akademikun Rexhep Qosja, duke e ftuar në një takim të përbashkët, ndërsa pjesëmarrës kanë qenë edhe disa nga ministrat e të dy kabineteve qeverisëse, transmeton Kosova Post.
Me këtë rast, Akademik Rexhep Qosja u kërkoi kryeministrave Edi Rama dhe Albin Kurti që ata vetë dhe qeveritë që drejtojnë të takohen më shpesh. Ai vlerësoi Ramën dhe Kurtin si dy politikanë intelektualë që duhet të prijnë qeveritë e tyre drejt zhvillimit politik dhe kombëtar të popullit shqiptar.
“E ndjej veten mirë, shumë mirë që kryeministri Edi Rama më dekoroi me Yllin e Mirënjohjes Publike. Kryeministri Edi Rama është njëri prej politikanëve më të suksesshëm të Shqipërisë në 30 vitet e fundit të ndërtimit të demokracisë në Shqipëri. Ai ka sjellë risi, fryte, zhvillime të reja në jetën politike shqiptare. Edi Rama është edhe intelektual krijues. Ai është piktor dhe është edhe shkrimtar. Ai shkruan romane, trajtesa, ese dhe trajta të ndryshme letrare.
Ky nderim m’u bë sot në Prishtinë. Ku nderim i veçantë me këtë simbol të jetës dhe historisë sonë m’u bë pas takimit mes dy delegacioneve mes Shqipërisë dhe Kosovës, Si Edi Rama, edhe Albin Kurti është politikan dhe intelektual krijues. Atë e shquan një cilësi e veçantë. Duhet ta dëgjojmë kur flet, deklaratat bisedat, intervistat për të parë se Albin Kurti ka një kujtesë me fjalë të huaja dhe memorie të jashtëzakonshme ku janë mbledhur të dhëna sa në një bibliotekë mbi historitë e Europës, popujve të tjera. Prej të dhënave të tij edhe mund të mësohet.”
Qosja lavdëroi edhe Kryeministrin Kurti, ndërsa të dy, bashkë me Ramën, i cilësoi si intelektualë krijues:
“Rama dhe Kurti janë dy politikanë intelektualë. Kjo u pa edhe në zgjedhjet e fundit në të cilat pjesa më e madhe e popullit u dha votën dhe besimin. Nuk mund të mos themi që kryeministri Edi Rama dhe kryeministri Albin Kurti janë edhe të kritikuar. Të kritikuar me arsye dhe pa arsye. Mund t’i dëgjojmë kritikat që janë të padëshmuara. Kritikat janë të nevojshme në jetën politike shoqërore. Sjellin nxitje për punë të reja.
Fjala intelektual i obligon ata që merren me politikë, se në atë mënyrë po merren me jetën dhe të gjithë atë që kanë të bëjnë me të ardhmen e popullit. Unë kam shkruar shumë dhe më tepër se duhet, Në shkrimet e mia, kurrë nuk i kam ndarë apo veçuar njërën prej tjetrës, Shqipërinë dhe Kosovën. I kam parë bashkë, si një tërësi. Të bashkuar, të bashkuara me të kaluarën, në të tashmen dhe i kam dëshiruar të bashkuara edhe në të ardhmen. Kam vërejtur duke lexuar edhe të tjerët, dhe atë ku jemi ne sot na kanë ofruar një shumës historike për ta ndryshuar dhe përmirësuar fatin tonë. Fati jonë ka qenë shumë i rëndë.”
Ai më tej vuri theksin tek fati tragjik i shqiptarëve, duke ua kujtuar të dyve, se janë pjesë e të vetmit komb në Ballkan, që jeton në disa shtete të ndara.
“Unë i lejoj vetes në moshën në të cilën jam prej 85 viteve i futur në vitin 86, më jep të drejtë morale. T’i ftoj Ramën dhe Kurtin të takohen si sot më shpesh. Të takohen qeveritë e tyre. Të mbajnë mbledhje qeveritë e tyre dhe në këto takime të bëjnë, të njësojnë një ideal të përbashkët që na e ka lënë epoka e rilindjes. E kanë krijuar Shqipërinë dhe shqiptarin me shumë plagë. Të njësojnë idealin dhe qëllimet e tyre politike”, u shpreh në fund akademik Qosja./KosovaPost/