Rafuna: Viti 2024 pritet që të përmbyllet me rritje ekonomike me rreth 4.2%

Përmes një njoftimi në ‘Facebook’, kryetari Rafuna ka bërë të ditur se viti 2024 pritet që të përmbyllet me një rritje ekonomike me rreth 4.2% dhe se e njëjta rritje ekonomike pritet që të ndodh edhe në vitin 2025. Ai gjithashtu ka shtuar se inflacioni është kthyer në normën që ishte para pandemisë, në vlerën rreth 3%.

“Tek ambienti makro-ekonomik, sipas trendeve që janë duke u zhvilluar, parashikimet për vitin 2025 prapë nuk janë shumë optimiste për shkak se gjithçka do të vendoset nga administrata e re amerikane dhe nga Gjermania. Sipas raportit të Bankës Botërore inflacioni është kthyer në normën që ishte para pandemisë, në vlerën rreth 3%. Sipas Bankës Botërore, në vendet evropiane inflacioni do të varion në 2.1%-2.2%, duke besuar që edhe në Kosovë nuk do të jetë më shumë, në kushtet dhe rrethanat që nuk do të ketë kriza të tjera. Kosova këtë vit po e mbyll me një rritje ekonomike 4.2%, një rritje ekonomike që nuk lënë ndonjë gjurmë, duke vazhduar në mesataren e viteve që po lëmë pas. Sipas trendeve të vazhdueshme atëherë edhe viti i ardhshëm do të jetë thuajse i njëjtë”, ka thënë Kryetari Rafuna.

Gjithashtu, Rafuna ka theksuar se vendi është duke u përballur me një deficit të lartë tregtar, në të cilin duhet të ketë ndërhyrje emergjente të qeverisë, ndërsa investimet kapitale kanë pasur një ngritje të vogël këtë vit, e që në to dominojnë investimet e diasporës, të cilat investime nuk janë të dedikuara për prodhim, por për patundshmëri.

Gjatë viti 2024, kryetari Rafuna ka zhvilluar rreth 50 vizita zyrtare tek kompanitë anëtare, si dhe ka nënshkruar 21 marrëveshje bashkëpunimi.

“Bilanci tregtar është në deficit, më shumë importojmë se sa eksportojmë. Krahasuar me periudhat e njëjta, vlera e importit të mallrave ka arritur në 5 miliard e 700 milion. Ky është indikatori më i mirë dhe më i sigurt i çdo qeverie që të merren masa urgjente për të ngritur prodhimin me qëllim të rritjes së eksportit. Investimet e huaja që i kemi pasur në Kosovë deri në shtator të këtij viti, krahasuar me vitin paraprak, sipas Bankës Qendrore ka një ngritje të vogël prej 6.2%”, tha kryetari Rafuna.

Ndërsa Venera Rexha, drejtoreshë e Departamentit për Projekte dhe Investime, ka thënë se OEK gjatë vitit 2024 ka organizuar një sërë forumesh ekonomike ndërkombëtare, duke përfshirë Forumin Ekonomik Kosovë-Arabi Saudite, Forumin Ekonomik Kosovë-Portugali dhe Forumin Ekonomik Kosovë-Greqi.

“Këto forume kanë bashkuar mbi 300 kompani nga Kosova dhe 180 kompani ndërkombëtare nga Arabia Saudite, Portugalia dhe Greqia, duke krijuar mundësi për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar. Takimet B2B të organizuara në këto forume kanë përfshirë sektorë të rëndësishëm si teknologjia, turizmi, industria e përpunimit të ushqimit, bujqësia dhe energjia e ripërtëritshme”, ka thënë ajo.

Kurse drejtoresha e Departamentit të Financave në OEK, Eralda Kurtaj, ka thënë se për dy vite Oda Ekonomike e Kosovës ka trefishuar buxhetin e saj, si dhe këtë vit kanë planifikuar të arrijnë vlerën 960 mijë euro.

“Tek pjesa e të hyrave të anëtarësisë ka qenë 94 mijë. Të hyrat nga trajnimet kanë qenë 64 mijë në vitin 2022, ndërsa në vitin 2024 vetëm trajnimet dy dhe tre ditore e kanë kaluar vlerën 50 mijë euro”, ka thënë ajo.

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish

Tjera nga rubrika