Raportimi i drejtorit të policisë po vazhdon me debate e akuza në Komision

Me akuza po përcillet raportimi i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrojtjes. Anëtarët e këtij komisioni kërkuan informacione rreth transferimeve e ndryshimeve që janë bërë në njësinë e veçantë të hetimeve.

Derisa nga opozita ngritën akuza se këto lëvizje janë bërë për të fshehur, siç tha kryesuesi i komisionit, “aferat e ekzekutivit”.

“Me shkarkimin e Shemsi Hazirit në krye të njësisë së veçantë të hetimeve erdhi Besim Berisha. Me ardhjen në krye të shefit të ri, në njësinë e veçantë të hetimeve nis një fushatë presioni. Në emër të strukturimit në njësi filloi një fushatë kundër atyre që po hetojnë aferat e qeverisë. Kemi rastin e Martin Berishaj e Nagip Krasniqit, disa janë në burg disa të akuzuar. Hetuesit janë duke u zhvendosur janë duke ardhur të tjerë. Kjo është e vërtetë. Unë nuk jam duke e akuzuar askënd. Veç le të thotë drejtori për ndonjërën që nuk është ashtu”, tha kryesuesi i komosionit, Bekë Berisha.

Por akuzat i mohoi i pari i policisë.

“Nga cilësia e drejtorit ju njoftoj se nga kjo njësi nuk ka pasur largime apo transferime përveç major Shemsi Hazirit, i cili është transferuar në kuadër të reformave. Unë ju garantoj me gjithë autoritetin tim që katër lëvizjet që janë bërë, janë bërë me kërkesën e policëve. Nuk kanë pasur presion. Ju garantoj se shumica e kërkesave ka qenë për nevoja të tyre personale. Kjo njësi dikur ka pasur një shtesë prej 300 eurove e cila është ndaluar pastaj. Ndoshta edhe kjo është një prej çështjeve se pse policët kërkojnë të largohen nga njësia”, tha drejtori i policisë.

Reagime pati edhe nga anëtarë tjerë të komisionit.

Pozita i doli në krahë drejtorit Hoxha.

“Është hera e parë që i bëhen kësi akuza një drejtori të policisë, nuk e di edhe prokurori a kish qenë në gjendje ta bëjë një gjë të tillë. Nuk është detyrë e komisionit që të lëshohet në këtë nivel. Nuk është në rregull që ne t’i tregojmë drejtorit të policisë edhe se si vlerësohen policët. Me këtë qasje nuk jemi duke i ndihmuar as policisë as atyre qa po i përmend ti”, tha deputeti i LVV-së, Enver Dugolli.

Deputeti i LDK-së, Anton Quni kërkoi që prokuroria të merret me akuzat e ngritura në këtë mbledhje.

“Unë jam shumë i interesuar të dëgjojë nga drejtori se si i adreson këto çështje. Mua më intereson e vërteta. Nëse këto qëndrojnë atëherë me të vërtetë është shqetësuese. Nuk mundemi të kalojmë përtej këtyre pretendimeve dhe ta heshtim këtë temë. Nëse këto qëndrojnë, nuk është vetëm problem i policisë por edhe problem shtetëror. Pas këtij takimi prokuroria duhet të merret ose me kryetarin për shpifje ose me drejtorin e policisë”, tha deputeti Quni.

Edhe deputeti i PDK-së, Hisen Berisha ngriti shqetësime rreth ndryshimeve që po bëhet në këtë njësi.

“Ka shumë shqetësime në opinion. Derisa janë interne, do të duhej të përbënin shqetësim të drejtpërdrejt të policisë dhe drejtorisë së policisë. Tani këto kanë marrë përmasa përtej atyre të brendshme. Këto shqetësime janë ngritur në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe atij të Freedom House. Të gjitha ndryshimet kuadrovike është dyshimi i bazuar se bëhen në emër të ndaljes së hetimeve. Ka edhe një pretendim se keni pasur një përplasje me Prokurorinë Speciale, nga e cila kanë thënë se këta policë nuk mund të lëvizin derisa janë në proces hetimor. Çështja e ristrukturimit vë pikëpyetje nëse po bëhet për të përmbushur apetitet politike të eprorëve tuaj”, shtoi ai.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish

Tjera nga rubrika