Deputetët e deritanishëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani dhe Visar Korenica nëpërmjet një konference për media kanë bërë të ditur rreshtimin e tyre në “Listën për Familje”, duke iu bashkuar kësisoj Aleancës Kosova e Re dhe Partisë së Drejtësisë.
Kodi Civil, gjendja ekonomike, ikja e qytetarëve nga vendi, pagat e ulëta kanë qenë arsyet që sipas Rrahmanit e Korenicës, i kanë shtyrë të largohen nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Së bashku me dr Aganin kemi arritur që gjatë kësaj periudhe të bashkohemi në këtë kauzë me një grup me integritet intelektual dhe ekspertësh të rinj. Pasi e arritëm bashkimin në mbrojtjen e familjes dhe caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare, projektin tonë ia propozuam edhe presidentit të AKR-së, Bexhet Pacolli, i cili me plotë dëshirë e vullnet vendosi t’i bashkohet kësaj kauze për familjen”, tha Rrahmani.
Ai ka thënë se kauza për familjen është mbipartiake dhe qytetare, teksa premtoi rreshtim edhe të personaliteteve tjera nga fusha të ndryshme në këtë listë.