Vetëm 7200 mësimdhënës janë vaksinuar ndaj Covid-19 në Kosovë, teksa numri i përgjithshëm i personelit arsimor është 24 mijë e 370. Kjo po shihet me shumë shqetësim nga autoritetet dhe një rrezik për nisjen e vitit të ri shkollor.
“Është brengosëse ky numër i vogël i vaksinimit të punëtorëve arsimorë, për shkak se siç e dimë është krijuar mundësia që të gjithë të vaksinohen dhe mos vaksinimi i punëtorëve arsimorë mund të shkaktojë mos fillimin e procesit mësimor në shkolla.”, shprehet Ymer Ymeri, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.
Ai thekson se mos vaksinimi i mësimdhënësve mund të ndikojë që viti i ri shkollor të mos nisë me prezencë fizike në objektet shkollore. Gjithashtu nuk shprehet kundër vaksinimit të detyruar.
“Nëse ministria e Shëndetësisë ose ministria e Arsimit ose qeveria e Republikës së Kosovës e bënë të kushtëzuar fillimin e punës në shtator për mësimdhënësit me vaksinim ne nuk do të dalim kundër atij qëndrimi të qeverisë.”
Nga qeveria e Kosovës theksohet se vaksinimi me detyrim nuk mundësohet nga ligji, por diçka e tillë është obligim moral.
“Nuk ekziston asnjë ligj i cili e detyron dikë që të vaksinohet, në rastin e mësimdhënësve konsideroj se ky është një obligim moral në radhë të parë ndaj vetvetes, ndaj kolegëve dhe ndaj nxënësve.
Shfrytëzoj rastin që t’i ftoj të gjithë mësimdhënësit që të vaksinohen në mënyrë që të bëjnë të mundur fillimin normal të vitit të ri shkollor, ta ruajnë shëndetin e tyre, shëndetin e kolegëve dhe të fëmijëve.”, deklaroi Dukagjin Pupovci, zv.ministër i arsimit.
Ndërkohë, në Kosovë, mësimdhënësit janë ndër kategoritë prioritare të vaksinimit, në mënyrë që në shtator të nisë i rregullt procesi mësimor.