Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), ka përkrahur protestën e sotme të organizuar përpara Ministrisë së Arsimit, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), kundër sulmeve dhe ngacmimeve seksuale nëpër shkolla, raporton Kosova Post.
Nëpërmjet një reagimi dërguar mediave, RrGK ka vënë në dukje se raportimi për dhunën në baza gjinore në mesin e të miturve, ende mungon.
Ky është reagimi i plotë:
Duke përcjellur me shqetësim të madh rastin e ngacmimit seksual të një të miture nga tre djemë po ashtu të mitur, në shkollën fillore “Faik Konica” të Prishtinës, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) mbështet protestën e sotme të organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, e cila mbahet tek Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit me fillim nga ora 12:00.
Sado që dhuna me bazë gjinore është mjaft e shpeshtë edhe në mesin e të miturve, megjithatë ende ka mungesë të raportimit dhe trajtimit të rasteve në mënyrë të duhur. Andaj, RrGK bën thirrje që institucionet përgjegjëse ta trajtojnë këtë rast me prioritetin e duhur, ashtu siç do duhej të trajtohet edhe secili rast tjetër i ngacmimit dhe sulmit seksual. Me theks të veçantë, shkollat duhet urgjentisht të krijojnë mekanizma të cilët trajtojnë rastet e dhunës, ngacmimeve dhe sulmeve seksuale.
Kujtojmë se RrGK së fundmi ka publikuar raportin “Nga Ligjet Vepra: në Monitorimi i reagimit institucional ndaj dhunës me bazë gjinore në Kosovë”, ku për Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit kemi rekomanduar:
- Të mbahen trajnime për edukatorët dhe psikologët për format e dhunës me bazë gjinore; si të identifikohen shenjat e dhunës me bazë gjinore; dhe si të ndihmon të referohen këtë raste.
- Të përfshihet materiali mësimor mbi barazinë midis grave dhe burrave, respektin e ndërsjellë, rolet gjinore jo stereotipike, dhunën me bazë gjinore dhe mënyrën e raportimit të tij në kurrikulat arsimore të përshtatshme për grupmosha të ndryshme, siç parashikohet nga Konventa e Stambollit.
- Të ndahet buxhet i mjaftueshëm për rritjen e numrit të psikologëve në shkolla.
Për fund, duhet përmendur se ashtu si për rastet e tjera të dhunës me bazë gjinore, RrGK do të kërkojë drejtësi dhe do të monitrojë nga afër këtë rast si dhe masat e ndërmarra për të./KosovaPost/