Sapo përfundoi konferenca me gazetarë mes kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe kryetarit serb, Aleksandar Vuçiq.
Kancelari Scholz tha se ardhmëria e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian, por, bëri me dije ai, duhet të arrihen përparime më të mëdha.
Veç kësaj, u bë e ditur se është folur edhe për dialogun mes Kosovës e Serbisë.
Siç u tha, kancelari Scholz ka theksuar se duhet të bëhen hapa të vegjël që të arrihen rezultate më të mëdha.
Vuçiq tha se është hera e parë që ka dëgjuar kërkesën zyrtare për njohje reciproke mes Kosovës e Serbisë.
“Di që ekziston kapitulli 35 për procesin për integrime evropiane, ku përmendet arritje të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, por jo edhe njohje reciproke.”, theksoi ai.
E, në vazhdën e kësaj çështjeje, Vuçiq, duke theksuar se nuk bllokon dialogun, tha se është afër arritjes së marrëveshjeve për të pagjeturit dhe për energjinë.
Më tej u bë e njohur kërkesa e kancelarit Scholz ndaj Serbisë që t’i bashkohet BE-së dhe botës perëndimore në sanksionet ndaj Rusisë.
Ndërkaq, lidhur me këtë çështje Vuçiq sqaroi se Serbia ka lidhje tradicionale me Rusinë, pastaj është e lidhur edhe me çështjen e energjisë./rtk