Gjermania dëshiron integrimin e shpejtë të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian dhe ka vlerësuar progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit, deklaroi kancelari gjerman Olaf Scholz në një konferencë për shtyp me kryeministrin shqiptar, Edi Rama në Berlin.
Scholz theksoi se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor është një detyrë strategjike për Gjermaninë dhe Europën. Ndër të tjera, kancelari gjerman renditi forcimin e sundimit të ligjit dhe medias së lirë dhe të pavarur si thelb i bisedimeve europiane.
“Integrimi i shpejtë i të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, po e nënvizoj përsëri, është i një rëndësie strategjike për qeverinë time. Ne shpresojmë t’i mirëpresim ata si anëtarë të Bashkimit Europian sa më shpejt të jetë e mundur. Përparimi i mirë i Shqipërisë në bisedimet e anëtarësimit në BE besoj se është një sinjal shumë i mirë për këtë”, ka thënë Scholz.
Scholz gjithashtu u shpreh se propozimi franko-gjerman për Kosovën dhe Serbinë është i peshuar mirë dhe ka mbështetje të plotë ndërkombëtare nga SHBA dhe BE.
Ai gjithashtu njoftoi se një takim i Procesit të Berlinit do të mbahet në Tiranë në mes të tetorit, në herë të parë në historinë afro 10-vjeçare të këtij procesi, me qëllim të promovimit të integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
“Besoj se është bërë shumë përparim, siç mund të shihet në deklarimet publike nga Vuçiç dhe Kurti, Ky është përparim krahasuar me kohët e kaluara. Ky është një plan, që mund të zbatohet, dhe tani duhet të funksionojë. Ja pse pres që të kemi rezultate të mira dhe konstruktive së shpejti. Kam përshtypjen se ekziston një vullnet i madh për të bërë të mundur atë që dukej e pamundur për një kohë të gjatë. Do të ishte mirë për paqen dhe për zhvillimin e Kosovës dhe të Serbisë”, deklaroi kancelari gjerman./VoA