Senatorja amerikane Elizabeth Warren tha se ajo nuk do të marrë pjesë në fjalimin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Kongresin e SHBA-së më 24 korrik, pasi ai “ka krijuar katastrofë humanitare”, raporton Anadolu.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Warren tha: “Ai (Netanyahu) e ka bërë gjithashtu të qartë se nuk e mbështet politikën e SHBA-së për një zgjidhje me dy shtete që do t’u lejojë popullit të Izraelit dhe palestinezëve të zhvillojnë vetëvendosjen e kombit të tyre, të jetojnë me dinjitet”.
“Ne kemi nevojë për armëpushim, kemi nevojë për t’i rikthyer ata pengje, kemi nevojë për ndihmë humanitare dhe ne duhet t’u japim të dyja palëve një shtysë të madhe për të arritur në tryezën e bisedimeve dhe për të gjetur zgjidhje paqësore”, shtoi ajo.
E pyetur nëse presidenti amerikan Joe Biden duhet të deklarojë qartë se Netanyahu nuk duhet t’i drejtohet Kongresit, Warren u përgjigj: “Kjo varet nga presidenti, por unë nuk do të shkoj”.
Më herët, më 7 qershor, senatori i pavarur i Vermontit, Bernie Sanders, i njohur për qëndrimin e tij kundër luftës dhe kritikat ndaj politikës së SHBA-së dhe Izraelit në lidhje me Gazën, tha se Netanyahu është “kriminel lufte”, duke shtuar se “me siguri nuk do të marrë pjesë” në seancën e Kongresit ku do të flasë Netanyahu.