Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës do të verifikojnë pretendimet për keqtrajtim nga policia në Mitrovicën e Veriut lidhur me një incident në sheshin “Car Llazar”.
Në një komunikatë për medie bëhet e ditur se Inspektorati Policor, sipas detyrës zyrtare, ka filluar procesin e grumbullimit të informacioneve dhe hetimit preliminar lidhur me pretendimet për keqtrajtim nga policia e të cilat pretendime, që janë bërë publike sot në medie të ndryshme, ka pasur një reagim nga shoqëria civile në Mitrovicën e Veriut .
“Sipas raporteve zyrtare incidenti raportohet të ketë ndodhur sot pas mesnatës (pas orës 03:00), kur policia ka arrestuar dhe shoqëruar në stacionin policor një qytetar me inicialet M.S. me dyshimin se i njëjti ka dëmtuar pronën e një dyqani privat në prezencë të zyrtarëve policorë. Pas shqiptimit të një tikete për kundërvajtje (sipas Ligjit për rendin dhe qetësin publike) i njëjti është liruar”, thuhet në njoftim.
Tutje, në njoftim thuhet se hetuesit e IPK-së, përmes një hetimi preliminar, do të verifikojnë pretendimet për keqtrajtim të të njëjtit nga policia gjatë ndërmarrjes së veprimeve policore në këtë incident.