Kryeministri, Albin Kurti ka vizituar autorin e shumë teksteve mësimore nga fusha e matematikës, ish-rektorin, Ramadan Zejnullahun.
“Ramadan Zejnullahu është autor i shumë teksteve mësimore shkollore dhe universitare nga fushat e matematikës, nga të cilat kanë mësuar dhe mësojnë breza të tërë nxënësish e studentësh”, ka shkruar Kryeministri Kurti.
Njoftimi i plotë i tij:
Ramadan Zejnullahu është autor i shumë teksteve mësimore shkollore dhe universitare nga fushat e matematikës, nga të cilat kanë mësuar dhe mësojnë breza të tërë nxënësish e studentësh. Kur matematika e ka shenjuar formimin tuaj shkollor, ajo shkon e kthehet jo vetëm në program të të bërit të llogarive e logjikë të të vepruarit, por edhe në sistem të të menduarit e në filozofi të të jetuarit. Sepse, siç është thënë shpesh herë frymëzuar nga një shprehje e Galileo Galileit, matematika është gjuha e universit, gjuha me të cilin universi flet dhe gjuha me të cilën ai mund të kuptohet.
Gjuha e matematikës e përshkoi edhe bisedën me Profesor Ramadan Zejnullahun, mbrëmë në shtëpinë e tij, ku profesori së bashku me bashkëshorten dhe djalin e tij na priti në vizitë. Biseduam për aktualitetin politik e shoqëror në Kosovë, për zhvillimet në Universitetin e Prishtinës dhe rezistencën gjatë viteve ’90, duke kujtuar profesorët e dikurshëm të përbashkët të matematikës.