Sot janë pranuar 515,970 doza të vaksinës kundër COVID-19, Pfizer/BioNTech, donacion ky i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në ceremoninë e pranimit të këtyre vaksinave, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe iniciativën COVAX për kontributin e tyre si dhe të gjithë atyre që kanë dhuruar dhe po vazhdojnë të dhurojnë në këtë iniciativë.
“Pandemia Covid-19 është një krizë botërore, e cila mund të adresohet në mënyrë efikase vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë ndërkombëtar. Dhe nuk ka asnjë fushë ku ky bashkëpunim ndërkombëtar është më i rëndësishëm, më jetik, sesa në përpjekjet për të siguruar shpërndarjen sa më të gjerë, sa më të barabartë, të vaksinave në mbarë botën. Kosova ka qenë përfituese e madhe e këtyre përpjekjeve”, është shprehur kreu i Qeverisë para të pranishmëve në ceremoni.
Teksa fliste për pandeminë me COVID-19, kryeministri Kurti theksoi se gati çdo vend i botës, përfshirë edhe Kosovën, është përballur me pasoja jo të lehta për jetën dhe shëndetin njerëzor. Megjithatë, shtoi ndër tjera ai, gjatë dy valëve më të fundit të virusit Corona, atyre të variantit Delta dhe të variantit Omicron, Kosova ka arritur t’i mbajë në minimum kostot njerëzore.