Administrata e presidentit të SHBA-së, Joe Biden do t’i bëjë presion presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq më shumë sesa kryeministrit të Kosovës në mënyrë që të arrihet një zgjidhje kompromisi mes palëve, thotë përfaqësuesi jo zyrtar i qarqeve diplomatike për Danas, transmeton Kosova Post.
Tutje shkruan Danas se bashkëbiseduesi i ynë thotë se “Në Uashington, janë të impresionuar nga demokracia e Kurtit”, dhe nga ana tjetër, janë “të tronditur nga autoritarizmi i Vuçiqit”.
Gjithnjë sipas burimeve jo zyrtare të qarqeve diplomatike, mësohet se “presidenti i Serbisë kritikohet nga shteti amerikan, ndër të tjera, për “mungesën e sensit për dialog me kundërshtarët politikë, kontrollin e tepruar mbi media”, si dhe “deklaratat ndezëse të bëra shpesh nga ai dhe disa të bashkëpunëtorëve të tij për fqinjët e Serbisë në Ballkanin Perëndimor”.
Ndërsa, sa i përket Kurtit, pretendohet se ai “gëzon mbështetjen e Amerikës në shumicën e segmenteve politike”, megjithëse konsiderohet “bashkëbisedues më i pakëndshëm” sesa paraardhësi i tij, Avdullah Hoti. Në këtë kontekst, theksohet se “Kurti dëshiron atë që pajtohet edhe administrata e Biden – që Kosova ta marrë njohjen nga Serbia”.
Burimet e Danas, bëjnë të ditur se SHBA-ja pret që Kurti t’i zbatojë reformat e premtuara, “veçanërisht ato që lidhen me sundimin e ligjit, përfshirë luftën kundër korrupsionit”, dhe “të llogarisë seriozisht te Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka lidhje jashtëzakonisht të mira politike në qarqet afër Bidenit”.
Departamenti amerikan i Shtetit ende jo zyrtarisht pretendon se Matthew Palmer nuk do të qëndrojë në pozicionin e Zëvendës Ndihmës Sekretarit, që do të thoshte se ai do të lirohet nga detyrat e tij si Përfaqësues Special për Ballkani Perëndimor, shkruan Danas.
Po ashtu thuhet se Karen Donfried, e cila do të emërohet Ndihmëse Sekretare e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë do ta zgjedhë një ekip të ri, duke përfshirë një përfaqësues të veçantë për Ballkanin Perëndimor./Kosova Post/