Dyzet e tetë minatorë mbetën të bllokuar në një minierë qymyri në rajonin e Kemerovës të Siberisë pas një aksidenti në të cilin humbi jetën të paktën një person, njoftuan sot autoritetet ruse, transmeton Kosova Post.
Operacioni i shpëtimit në minierën në zonën e Kemerovës është duke u zhvilluar, njoftoi Ministria e Situatave Emergjente.
Siç thuhet në njoftimin e mimistrisë, nga miniera janë nxjerrë gjithsej 237 persona dhe 45 janë lënduar, ndërsa në minierë janë ende 48 minatorë. Gjithashtu u bë e ditur se për momentin nuk dihet saktësisht se ku ndodhen minatorët e kapur dhe as shkaku i aksidentit.
Shërbimi për shtyp i guvernatorit të rajonit të Kemerovës përmes telegramit ka thënë se 43 persona janë transferuar në spital, mes tyre dy në gjendje të rëndë, si dhe një ka ndërruar jetë.
Ministria e Emergjencave është lajmëruar në orën 9.07 me orën lokale për të parë tymin që del nga miniera e Listvjanzajt, njoftoi shërbimi i guvernatorit Sergej Civilev, shkruan danas. Sipas atij burimi, në vendin e aksidentit janë dërguar 11 ekipe të specializuara të shpëtimit dhe disa të tjera janë në rrugë të tyre dhe është ngritur një helikopter me personel mjekësor.sh.o./Kosova Post/