Agjentët e Policisë Kombëtare në Spanjë kanë arrestuar 8 persona në Valencia, të cilët dyshohet se janë pjesë e një grupi kriminal.
Aksioni u ndërmor në sajë të operacionit të koduar “Drita e Gjelbër”, ku u bë i mundur çmontimi i katër plantacioneve të marijuanës dhe u sekuestruan 485 kg drogë, si dhe 2.721 bimë.
Bimët ishin kultivuar në qytetet Castello, Lliria dhe Burjassot. Agjentët verifikuan që bimët ishin në faza të ndryshme të pjekurisë për të garantuar furnizim të vazhdueshëm në treg.
Hetuesit bënë me dije se grupi kriminal ishte me origjinë lituaneze, greke, shqiptare dhe spanjolle.
Përveç kësaj, ata konfiskuan sasi të ndryshme marijuane të gatshme për shpërndarje dhe konsumim pasues, pasi i kishte kaluar procesi i përzgjedhjes dhe tharjes.
Kultivuesit i kishin vendosur bimët në shtëpi luksoze për të humbur gjurmët, banesa të cilat mbroheshin me armë dhe qen për të evituar vizitat nga të panjohurit.
Sistemi i kultivimit ishte i brendshëm dhe kishte të gjithë elementët e nevojshëm për të garantuar prodhimtari. Plantacionet ishin të pajisura me pajisje ndriçimi, ajrim, filtrim të aromës, kohëmatësit me të cilët kontrollohej funksionimi i sistemit, stacionet dhe termo-higrometrat e krijuar për të matur temperaturën dhe lagështinë.
Gjatë kontrollit policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë gjahu, një hanxhar, sisteme të mbikëqyrjes me rreze infra të kuqe, 189 llamba, 22 kondicionerë, dhjetëra telefona celularë, transformatorë, stacionim për parashikimin e motit dhe çanta me vakum që shërbenin për paketim.oranews.